Atë mëngjes të djele selvijat dukeshin më të zymta, më të thara dhe më shtatlarta. Të ngrysura dhe disi të kërrusura pëshpërisnin me njëra tjetrën ca fjalë ngushëllimi, që i merrte me vete era e Krastës. Zgjatnin krahët e këputur dhe i përqafonin vogëlushët dashurisht.
Çimi nuk kishte parë asnjëherë një njeri të vdekur në jetën e vet dhe për këtë arsye, seç ndjente një lloj frike. Në ëndërr i dilnin lloj lloj fytyrash të heshtura dhe të vrenjtura, që nuk thonin asgjë, por që me sytë e mbyllur, ngjanin më shumë me alienët, që vinin nga pafundësia. Përse vdiste njeriu dhe ku shkonte shpirti pas vdekjes? A do të shndërrohej babai në diçka tjetër: përshembull në një pemë ulliri apo qiparis? Apo ndoshta në një mjegull që davaritej në hapësirë?